1. Shoqata Shqiptaro-Kanadeze “ILIRIA” e London ONTARIO,
KANADA
1.1. Shoqata “ILIRIA” është një organizatë joqeveritare
dhe jofitimprurëse, që organizon dhe i përdor burimet njerëzore, ideore,
financiare dhe teknike me qëllim të promovimit dhe realizimit të interesave të
komunitetit shqiptar në London dhe rrethinat e tij. Kjo shoqatë përfshin të
gjithë shqiptarët, pavarësisht nga preardhja territoriale, fetare, politike, si
dhe nënshtetasit kanadez.
1.2. Me këtë statut rregullohet organizimi i brendshëm i
shoqatës shqiptaro-kanadeze “ILIRIA” në London, Ontario. Ky statut përcakton
numrin e organeve të shoqatës, zgjedhjen e tyre, të drejtat dhe detyrimet e
tyre, të drejtat dhe detyrimet e themeluesve të shoqatës, të drejtat dhe
detyrimet e anëtarëve të shoqatës, fushë-veprimin brenda shoqatës, raportin dhe
bashkëpunimin e shoqatës me institucionet e shtetit dhe shoqatat e tjera në
London dhe jashtë Londonit.
2. Selia e Shoqatës
Zyra e shoqatës është e vendosur në këtë adresë:
171 Wellington Street London ON N6B 2K9
2.1. Shoqata do të këtë vulën, logon dhe materiale të
tjera identifikuese, të cilat do të mbahen në zyrën e shoqatës dhe do të
përdoren nga persona të autorizuar vetëm për qëllime të shoqatës. Këto
materiale do të lejohen të përdoren nga kryesia si organ ekzekutiv i shoqatës.
3. Qëllimi dhe Program i Shoqatës
3.1.1 .Programi i Shoqatës.
Shoqata “ILIRIA” është një organizatë jopërfituese,
jopunëdhënëse dhe joqeveritare. Ajo është shoqatë vullnetare e komunitetit
shqiptaro-kanadez. Shoqata është e regjistruar pranë autoriteteve kanadeze dhe
do të punojë pa përfitim dhe pa pagesë për anëtarët e saj.
Anëtarët, Bordi Drejtues/Ekzekutiv, Bordi i
Besimit/Mbikëqyrës dhe nënpunësit, që bëjnë shpenzime përsonale duke kryer
aktivitete të shoqatës, do të rimbursohen, kompensohen nga shoqata. Çdo
shpenzim i bërë nga anëtarët për qëllime të shoqatës duhet të dëshmohet me
faturë. Në listën e këtyre shpenzimeve hyjnë: transporti, ushqimi, meditja nëse
anëtari e ka lënë punën e tij për të ndihmuar shoqatën, etj.
3.1.2. Shoqata ka të drejtë të ketë llogari bankare, të
leshojë dhe pranojë pagesa me çek dhe forma të tjera pagese. Në të njëjtën kohë
shoqata ka të drejtë të mbajë fondet e veta edhe në instrumenta financiare, siç
janë bondet dhe letrat me vlerë, në mënyre që të nxjerrë të ardhura për llogari
të shoqatës.
3.1.3. E Drejta e Shoqatës për të Pasur Pronë Personale.
Shoqata “ILIRIA” ka të drejtë të kërkojë donacione,
pranojë donacione, të trashëgojë pasurinë e anëtareve pas vdekjes (nëse anëtari
në fjalë nuk ia ka trashëguar atë pasuri dikujt tjetër), të kërkojë grante nga
qeveria ose ndonjë institucion i posaçshëm. Në të njëjten kohë, ajo ka të
drejtë të futet në kontrata me qëllim të mbledhjes së mjeteve financiare për
shoqatën, si dhe të sponsorizojë ndonjë person gjatë procesit të emigrimit në
Kanada, sponsorizim akomodimi. Shoqata ka të drejtë të mbledh kuotën e anëtarësisë
nga anëtarët dhe të organizojë aktivitete për mbledhje fondesh.
3.1.4. E Drejta e Shoqatës për të Bërë Kontrata.
Shoqata “ILIRIA” ka të drejtë të themelojë degët e veta
nëpër qytete të tjera, të futet në kontrata me organizata dhe institucione të
tjera që kryejnë aktivitete të njëjta dhe që janë në përputhje me qëllimet e
shoqatës.
3.1.5. E Drejta e Shoqatës që t’i Paguaj Shpenzimet dhe
Detyrimet e Veta.
Shoqata “ILIRIA” është e detyruar që të paguaj të gjitha
shpenzimet dhe detyrimet në raport me palët e tjera.
3.1.6. Kufizimi i Fuqisë së Anëtarëve.
Shoqata “ILIRIA” nuk mund të kontrollohet nga ndonjë
anëtar, kryetar, Bordi Drejtues, ndonjë drejtor, themelues, nënkryetar, etj,
për qëllimet e tyre personale.
3.2. Programi i Shoqatës.
Shoqata “ILIRIA” është themeluar që të promovojë sa më
mirë interesat e komunitetit shqiptar në përgjithësi, ose në mënyre të
detajuar. Qëllimi i shoqatës është që të ruaj, mësojë, zhvillojë, përfaqësojë
dhe promovojë frymën shqiptare në Kanada, posaçërisht në qytetin e Londonit dhe
rrethinat e tij. Shoqata do të ketë karakter:
3.2.1. Njoftuese dhe Edukative.
Do të njoftojë komunitetin shqiptar për zhvillimet më të
fundit në trashëgimin kulturore, për ngjarje të rëndësisë kombëtare, për
mitingje me karakter kombëtar. Gjithashtu do të njoftojë dhe promovojë për
mësimin plotësues në gjuhën kombëtare për fëmijët tanë.
3.2.2. Kulturore, Sportive dhe Sociale (Argëtuese).
Shoqata “ILIRIA” do të organizojë dhe përkrahë
aktivitetet kulturore. Këtu përfshihen promovimet e veshjes tonë kombëtare,
recitime të ndryshme nga fëmijët tanë dhe të ndajë mirënjohje për arritje. Do
të organizojë festat kombëtare, civile, darka sociale, pikniqe, mbrëmje rinore
dhe mbrëmje për të moshuar. Do të organizojë dhe përkrahë evenimente sportive,
(futboll, shah, basketboll dhe ndonjë sport tjetër i preferuar prej
komunitetit). Nëse do të ketë talente, do të formohet një shoqëri
kulturore-artistike shqiptare. Do të përkrahet çdo iniciativë që ruan dhe
zhvillon traditat dhe elementet e identitetit tonë kombëtar. Do të formojë
klube futbolli për fëmijë e të rritur që do të përfaqësojnë komunitetin
shqiptar. Do të organizojë dhe përkrahë pjesëmarrjen e komunitetit tonë në
panairet e ushqimeve dhe veshjeve kombëtare tradicionale.
3.2.3. Humanitare.
Duke pasur parasysh faktin se ne jemi populli i Nënë
Terezës, shoqata ka në program edhe ndihmën (shpirtin) humanitare ndaj
kategorive të rrezikuara të komunitetit shqiptar dhe atij kanadez. Për më
tepër, shoqata do të ndihmojë këto kategori me ndihmë morale dhe materiale
sipas mundësive që ka.
Shoqata “ILIRIA” nuk është një organizatë politike, por
ajo ka të drejtë të përkrahë të gjitha të drejtat legjitime dhe demokratike si
dhe të solidarizohet me popullin shqiptar në vendlindje, pavarësisht
përkatësisë territoriale apo fetare.
3.2.4. Nxitëse dhe Emancipuese.
Krijimin e kushteve për emancipim dhe pjesëmarrje sa më
të madhe të femrave në shoqatë dhe aktivitete të saj. Do të ketë 20 – 35% të
antarëve të kryesisë të gjinisë femërore.
3.2.5. Ndërmarrëse dhe Progresiste.
Në momentin kur shoqata zhvillohet në një shkallë të
lartë, ka të drejtë të hap nëndegët e saj nëpër qytete të tjera.
3.2.6. Promovuese.
Shoqata “ILIRIA” do të mbështesë promovimin e interesave
të anëtarëve dhe angazhimin e tyre në aktivitete humanitare, ku ka nevojë.
3.2.7. Objektiv Afatgjatë.
Shoqata synon në plan afatgjatë të ndërtojë dhe themelojë
një qendër kulturore dhe sportive, që do të shfrytëzohet për aktivitete
kulturore dhe sportive për shqiptaro-kanadezët dhe sipas interesit të shoqatës
edhe për aktivitete të komuniteteve të tjera.
4. Organet e Shoqatës. Të Drejtat dhe Përgjegjësia e
Pjesëtarëve të Tyre.
4.1. Anëtarësia e Shoqatës.
Anëtarësia e shoqatës përbëbet nga anëtarët, themeluesi
dhe financuesit.
Ky statut njeh dy lloje të anëtarësisë: anëtarë të
rregullt me të drejta të plota (përfshirë të drejtën e votës) dhe anëtarë nderi
(pa të drejtë vote).
4.1.1. Anëtarët e Rregullt.
Të drejtën e pranimit si anëtar i rregullt e gëzon çdo
njëri si vijon:
a- pjesëtar i kombit shqiptar
b- nënshtetas i Kanadasë
c- mosha madhore mbi 18 vjeç
d- që e respekton rregulloren e shoqatës
e- që e paguan rregullisht anëtarësinë
f- që e dëshmon pagesën e anëtarësisë me kartelë
g- anëtarësia paguhet gjatë tremujorit të pare.
4.2. Pranimi dhe Përjashtimi i Anëtarëve.
Vendimin për pranimin apo përjashtimin e anëtarëve do ta
marrë kryesia e shoqatës.
Pranimi do të bëhet sipas nenit 4.1.1., kurse përjashtimi
i anëtareve bëhet si vijon:
a- vërejtje verbale
b- pezullim i përkohshëm i anëtarësimit
c- përjashtim nga anëtarësimi
d- anëtari i përjashtuar ka të drejtë të ankohet tek
Bordi i Besimit.
4.3. Ndërprerja e Anëtarësisë.
Ndërprerja e anëtarësisë bëhet si vijon:
a- nga dorëheqja me shkrim e anëtarit
b- ndërrim jete (vdekja e anëtarit).
c- shpërngulja nga qyteti/vendndodhja e shoqatës, (por
mund të jetë anëtar nderi i shoqatës).
d- mospagimi i anëtarësisë.
e- largim nga anëtarësia sipas nenit 4.2.
4.4. Të Drejtat e Anëtarëve.
Çdo anëtarë i shoqatës, me anëtarësi të paguar
rregullisht, ka të drejtë pjesëmarrje në Kuvendin e Përgjithshëm, të votojë, të
zgjedhë, të zgjidhet, të marrë pjesë në debate dhe të kandidohet për çdo pozitë
në shoqatë nëse i merr votat e mjaftueshme.
4.4.1. Asnjë anëtar nuk e ka të drejtën të shfrytëzojë shoqatën
për nevoja përsonale. Asnjë anëtar i shoqatës nuk mund të flasë në emër të
shoqatës pa pëlqimin e Bordit Drejtues dhe kryesisë së shoqatës. Kjo e drejtë i
ngarkohet zëdhënesit të shoqatës.
4.4.2. Nëse prindi (nëna ose babai) është anëtar i
rregullt, atëherë automatikisht e gjithë familja e ngushtë (fëmijët nën moshën
18 vjeçare) gëzojnë anëtarësinë e plotë.
4.4.3. Anëtari i shoqatës “ILIRIA” nuk mbahet përgjegjës
për çfarëdo lloj përgjegjësie dhe detyrimi që buron nga aktivitetet e shoqatës
dhe organeve të saj, kjo në raport me partnerët kontraktues siç janë:
institucionet e shtetit, shoqatat e tjera, bankat, etj.
4.4.4. Një anëtar i shoqatës ka të drejtë vetëm për një
votë. Një anëtar, një votë.
4.4.5. Shoqata ka të drejtë që të ketë numër të
pakufizuar të anëtarëve.
4.5. Anëtarët e Nderit.
Rruga dhe kushtet e anëtarësimit të një Anëtari Nderi
është e njëjtë sikurse për anëtarët e rregullt apo sipas nenit 4.1.1. Anëtar
Nderi emërtohet një prej anëtarëve më të vjetër dhe me kontribut të veçantë në
aktivitetin e shoqatës ose një përsonalitet i njohur dhe i respektuar në
komunitetin e shqiptarëve të Kanadasë dhe Amerikës, i cili mbështet dhe
promovon shoqatën “ILIRIA”.
4.5.1 Pranimin e Anëtarëve të Nderit e bën Bordi Drejtues
sipas nenit 4.1.1.
4.5.2. Ndërprerja e Anëtarësisë së Nderit.
Ndërprerja e anëtarësisë së nderit është e njëjtë sikurse
në nenin 4.3.
4.5.3. Të Drejtat e Anëtarëve jo të Rregullt.
Çdo anëtarë jo i rregullt i shoqatës (me anëtarësi të
paguar, ose të liruar nga pagesa) ka të drejtë pjesëmarrjeje në kuvendin e
përgjithshëm, në mbledhje dhe aktivitete të tjera, por nuk ka të drejtë vote,
as të zgjedhë apo të zgjidhet. Ai/ajo ka të drejtë propozimi, rekomandimi ose
këshillimi.
4.5.4. Përjashtimi nga Anëtarësia e Nderit.
a- Anëtarët e Nderit, të cilët me veprimtarinë e tyre,
brenda apo jashtë shoqatës, bien në kundërshtim me qëllimet e shoqatës ose kanë
shkelur ligjet shtetërore, do të përjashtohen nga anëtarësia. Këtë vendim e
merr kryesia e shoqatës me rekomandimin e komisionit të besimit.
b- Asnjë anëtar, që largohet vullnetarisht ose
përjashtohet nga shoqata, nuk do t’i kthehen të hollat ose donacionet që i ka
dhënë vullnetarisht shoqatës.
4.6. Prania e Joanëtarëve në Shoqatë.
Një prani e tillë do të lejohet vetëm në shoqërimin e
anëtarëve, të cilët edhe do t’i marrim të gjitha përgjegjësitë legale për
mysafirët.
5. Administrimi i Shoqatës.
Punët drejtuese dhe udhëheqëse të shoqatës do t’i
ushtrojnë këto organe:
a- Kuvendi i Përgjithshëm i shoqatës
b- Bordi Drejtues
c- Bordi i Besimit (bordi disiplinor dhe financiar)
5.1. Kuvendi i Përgjithshëm.
Kuvendi i Përgjithshëm përbëhet prej të gjithë anëtarëve
të rregullt dhe anëtarëve të nderit të shoqatës. Kuvendi i Përgjithshëm është
sovrani, organi më i lartë i shoqatës dhe çdo vendim për çdo çështje merret me
shumicën e anëtarëve të rregullt pjesëmarrës në mbledhje. Nga mbledhjet e
Kuvendit të Përgjithshëm zgjidhet Bordi Drejtues dhe Bordi i Besimit.
5.2. Mbledhjet e Kuvendit të Përgjithshëm.
Kuvendi i Përgjithshëm mban dy lloje mbledhjesh:
a- mbledhje të rregullta (këtu përfshihen edhe mbledhjet
zgjedhore)
b- mbledhje të jashtëzakonshme.
5.3. Mbledhjet e Rregullta.
a- Mbledhjet e rregullta të kuvendit të përgjithshëm
mbahen një herë brenda vitit kalendarik e jo me gjatë se 18 muaj nga mbledhja e
fundit. Dita dhe vendi i mbajtjes së mbledhjes së rregullt do të caktohet nga
Bordi Ekzekutiv (kryesia e shoqatës). Mbledhjet e tjera mbahen sipas nevojës
ose kërkesës së anëtarëve duke u përqendruar në pikat e mëposhtme.
b- Njoftimin për mbajtjen e mbledhjes do ta bëjnë persona
të autorizuar nga Bordi Drejtues/Ekzekutiv. Njoftimi do të bëhet me shkrim,
e-mail, telefon, ose me ëebsite. Njoftimi duhet të bëhet 15 ditë para
mbledhjes.
c-Njoftimi do të përmbajë:
datën, orën dhe vendin e mbledhjes
rendin e ditës
d- Kuorumi nënkupton shumicën prej 51 % të anëtarëve të
rregullt prezent në mbledhje. Ky është një prag i domosdoshëm për marrjen e
vendimeve në kuvend. Marrja e vendimeve me këtë shumicë është e ligjshme dhe e
plotfuqishme. Nëse në mbledhje mungon kuorumi, apo më pak se 51% e anëtarëve të
rregullt, atëherë Bordi Ekzekutiv duhet ta shtyjë mbledhjen jo më gjatë se 30
ditë nga dita e mbledhjes së pambajtur. Në mbledhjen e ardhshme, pas afatit të
lartpërmendur, vetë anëtarët e pranishëm do ta përbëjnë kuorumin dhe
vendimarrja bëhet e plotfuqishme me votimin e mbi 51% të anëtarëve të rregullt
prezent në kuvend.
e- Mosardhja e ndonjë prej anëtari të rregullt nuk do ta
bllokojë punën e kuvendit.
f- Mbledhjen e thërret kryetari i bordit, Bordi Drejtues
ose nënkryetari me aprovim të kryetarit, nëse kryetari është përkohësisht i
paaftë ta ushtrojë detyren e tij.
i- Për ndyshimin e rendit të ditës duhet pelqimi i 51% të
anëtarëve të rregullt, pjesëmarrës në mbledhje .
j- Për çdo mbledhje të rregullt, në rend dite duhet të
jenë:
Raporti njëvjetor i punës së Bordit Drejtues
(ekzekutive).
Raporti financiar i financierit.
Raporti njëvjetor i Bordit të Besimit.
6. Mbledhjet e Përgjithshme ose të Jashtëzakonshme.
Kuvendi i përgjithshëm mund të thirret në mbledhje të
jashtëzakonshme nga Bordi i Drejtorëve. Në rrethana të shkarkimit të Bordit
Drejtues nga Bordi i Besimit ose në rrethana të shkarkimit të dy bordeve, ai
thirret nga 1/3 e anëtarëve të shoqatës.
6.1. Në raste të thirrjes së mbledhjes së jashtëzakonshme
nga 1/3 e anëtarëve të shoqatës atëherë ata e zgjedhin kryesinë e kuvendit, e
cila e udhëheq mbledhjen me mandate deri në fund të saj.
6.2. Detyrat dhe Fuqia e Kuvendit të Përgjithshëm.
Detyrat dhe fuqia e Kuvendit të Përgjithshëm janë si
vijojnë:
A-Të zgjedhë organet udhëheqëse dhe vëzhguese të shoqatës
siç janë:
1- Bordi Drejtues që qeveris shoqatën.
2- Bordi i Besimit që mbikëqyr punën e bordit të
drejtorëve në fusha të përmendura më lart.
b- të shkarkojë nga detyra Bordi Drejtues ose Bordin e
Besimit në rrethanat kur këta e shkelin statutin e shoqatës dhe nuk i
përfaqësojnë interesat e shoqatës.
c- të përmirësojë dhe fuqizojë ndonjë paragraf të
statutit të shoqatës.
d- të vlerësojë punën e Bordit Drejtues dhe Bordit të
Besimit.
e- të miratojë, përkrahë dhe financojë programet e punës
së dy bordeve.
f- të japë llogari për detytrime që i ka ndaj bordeve siç
janë financimi, bashkëpunimi i ndërsjelltë, respektimi i pozitave të
njëri-tjetrit dhe të kërkojë llogari prej bordeve.
i- të pranojë dhe zbatojë vendimet e paraqitura nga Bordi
Drejtues, të cilat janë në përputhje me statutin dhe qëllimin e shoqatës.
j- të vendosë për shpërndarjen e shoqatës (korporatës) në
përputhje me pikën 5b që buron nga çertifikata e regjistrimit, dispozitat e veçanta
(me ligjin mbi korporatat jopërfituese).
7. Bordi Drejtues.
Bordi Drejtues është organ ekzekutues dhe udhëheqës i
shoqatës. Bordi i Drejtues përbëhet nga shtatë anëtarë, të cilët janë të
zgjedhur nga Kuvendi i Përgjithshëm në mbledhjen zgjedhore. Anëtarët e bordit
të drejtorëve janë:
➢ Kryetari
➢ Nënkryetari
➢ Sekretari
➢ Financieri
➢ Tre anëtarë të bordit.
7.1. Zgjedhjet/votimet.
Bordi Drejtues zgjidhet nga Kuvendi i Përgjithshëm me
mandat dy vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje që votohet sërish, por me kusht që
40 % e bordit të zgjidhen anëtarë të rinj. Votimi bëhet me ngritje të dorës ose
me fletë votimi të fshehta, nëse Kuvendi vendos kështu me shumicë votash. Në
raste të veçanta votimi mund të bëhet me postë ose postë elektronike. Në bord
duhet të ketë të paktën 2 antëtarë nga gjinia femërore.
7.2. Bordi Drejtues e zgjedh kryesinë e tij: Kryetarin,
Nënkryetarin, Sekretarin dhe Financierin. Zgjedhja e tyre bëhet me shumicën e
thjeshtë, 51% të anëtarëve të bordit. Të zgjedhurit kanë të drejtë të zgjidhen
vetëm dy mandate.
7.3. Detyrat e Udhëheqësve.
7.3.1. Kryetari është udhëheqësi kryesor i shoqatës,
kryeson mbledhjen e bordit dhe përfaqëson shoqatën. Kohë pas kohe ai ngarkon
nënkryetarin me detyrat e tij/saj ose detyra të pjesshme. Kryetari kujdeset për
funksionimin e shoqatës dhe Bordit Drejtues. Kryetari kërkon llogari nga Bordi
Drejtues dhe jep llogari tek anëtarësia e shoqatës ose përfaqësuesi i tyre.
7.3.2. Kryetari ka të drejtë të autorizoje financierin,
pa u konsultuar me bordin, që të shpenzojë para deri në $100.00 për nevojat e
shoqatës, por jo më shumë se 2 herë në një vit kalendarik.
7.3.3. Nënkryetari e ndihmon kryetarin në kryerjen e
detyrave dhe, në raste të caktuara, e zëvendëson atë. Flet në emër të shoqatës,
me pëlqim të bordit ose të kryetarit si dhe harton planin dhe programin një
vjeçar të veprimtarisë së shoqatës.
7.3.4. Sekretari kujdeset për mbajtjen e proçesverbaleve,
bisedë-shkrimeve, bën anëtarësimin, regjistron kartela anëtaresimi,
ç’regjistron kartela anëtarësimi, dokumente jo financiare, etj.
7.3.5. Financieri kujdeset për llogarin bankare, librat e
llogarisë, faturat e shpenzimeve, për rritjen e buxhetit të shoqatës,
mirëvajtjen e fondeve të shoqatës, regjistrimin e transaksioneve, etj.
Financieri mbanë raporte për të ardhurat në Kanada.
7.3.6. Tre anetarët e kryesisë do të ndihmojnë Bordin
Drejtues/Ekzekutiv sipas detyrave që i marrin nga kryetari ose nga nënkryetari.
7.3.7.a- Në raste të dorëheqjes së kryetarit, pozitën e
tij/saj do ta marrë nënkryetari.
b- Kuorumi i bordit të drejtorëve duhet të jetë 51 % e
numrit të anëtarëve të bordit, të cilët duhet të jenë të pranishëm. Votimi
është individual dhe vendimet merren me shumicë të thjeshtë
votash. Në rast të numrit të barabartë të votave mbi një
temë të caktuar, vota e kryetarit të shoqatës do të jetë përcaktuese.
c- Anëtari i zgjedhur nga bordi i drejtorëve mund ta
refuzojë detyrën vetëm nëse nuk ndihet i aftë ta bëjë atë.
7.4. Fuqia Vendimarrëse e Bordit të Drejtorëve.
Gjatë kohës në mes të dy mbledhjeve zgjedhore të kuvendit
të përgjithshëm të shoqatës, Bordi Drejtues është organi udhëheqes dhe
ekzekutiv më i lartë i shoqatës. Çdo vendim merret me votën e shumicës së 51%
të anëtarëve të bordit prezent. Bordi Drejtues në emër të shoqatës ushtron këto
veprimtari:
a- Merr çdo hap të nevojshëm që të realizojë qëllimet dhe
plan-programin e shoqatës duke e respektuar rreptësisht statutin e shoqatës.
b- Ndërton raporte të shkëlqyeshme me qeverinë,
institucionet e shtetit, organizata të ndryshme, me mjetet e informimit publik,
si dhe me shoqata të tjera brenda bashkësisë shqiptaro-kanadeze dhe jashta saj.
c- Themelon ose ndalon degë të tjera të shoqatës.
d- Blen ose shet mjete tekniko-materiale për nevojat e
shoqatës.
e- Hap ose mbyll llogari rrjedhëse në bankë. Depoziton
ose tërheq të holla në bankë, ose në instrumente financiare. Lëshon pagesa ose
pranon pagesa nga palët e tjera. Nënshkrimi i dokumentave bankare dhe çeqeve
bëhet nga arkëtari dhe kryetari.
f- Cakton kuotën vjetore të anëtarësisë.
g- Bashkëpunon ngusht me shoqatat e tjera që kanë synime
të përbashkëta me shoqatën “ILIRIA”.
h- Mban mbledhjet sipas udhëzimeve të kryetarit, ose në
mungesë të kryetarit, sipas thirrjeve të nënkryetarit. Kryetari do të kujdeset
për mbledhjet e jashtëzakonshme të bordit të drejtorëve që të mbahen brenda 5
ditëve. Njoftimi për mbledhje të jashtëzakonshme duhet të jepet 36 orë para kohe.
7.5. Pergjegjësia e Bordit Drejtues.
Bordi Drejtues ka këto përgjegjësi:
a- Udhëheq shoqatën në bazë të statutit
b- Përgatit plan-programin dhe e zbaton atë
c- Në fund të mandatit të vet raporton për veprimtarinë e
vet tek Kuvendi i Përgjithshëm.
Thërret dhe organizon Kuvendin e Përgjithshëm
d- Përgjigjet për të gjitha kërkesat e Bordit të Besimit
e- Mban mbledhjet e veta të rregullta çdo tre muaj
f- Mban evidenca, shënime, për:
1- regjistrin e anëtarëve
2 librin e llogarive (hyrjeve dhe daljeve/debit-
kredit)
3- procesverbalin, bisedë-shkrimin e çdo mbledhjeje
4- evidencën për mungesën e anëtarëve të bordit të
drejtorëve
5 – ruan dokumente të rëndësishme që kërkohen me ligj.
7.6. Pushimi i Anëtarëve nga Bordi Drejtues Bëhet si
Vijon:
7.6.1. Cilido prej anëtarëve të Bordit Drejtues, që
mungon në mbledhjet e këtij bordit pa pëlqimin e Bordit Drejtues/Kryetarit ose
pa asnjë arsye për 3 mbledhje rradhazi te Bordit të Besimit, atëherë ai/ajo
anëtar/e quhet e vetlarguar.
7.6.2. Dorëheqja vullnetare nga detyra.
7.6.3. Përjashtimi i imponuar si rezultat i ndonjë
shkeljeje serioze të statusit.
7.6.4. Përjashtimin individual të anëtarëve të Bordit
Drejtues e rekomandon bordi i besimit dhe e zbaton Bordi Drejtues me shumicën e
votive, 51% të anëtarëve të këtij bordi, duke u bazuar në të gjeturat e hetimit
dhe duke e arsyetuar vendimin tek anëtarët e shoqatës.
7.6.5. Shkarkimin kolektiv të Bordit Drejtues mund ta
bëjë vetëm Kuvendi i Përgjithshëm në mbledhje të jashtëzakonshme, e cila
thirret dhe udhëhiqet nga kryetari i Bordit të Besimit. Vendimin për shkarkimin
e Bordit Drejtues do ta arsyetojë vetë Bordi i Besimit në bazë të gjetjes të
parregullsive, që e dëshmojnë këtë veprim.
8. Bordi i Besimit. Definicioni.
Bordi i Besimit është organ mbikqyrës dhe kontrollues i
shoqatës. Ky bord, kohë pas kohe, sipas ankesave të anëtarëve mbikqyrë Bordin
Drejtues dhe i jep llogari anëtarëve të shoqatës. Ky bord ka minimumin 3
anëtarë, maksimumin 5 anëtarë, përkatësisht kryetari me 2 anëtarë.
8.1. Zgjedhjet.
Bordi i Besimit zgjidhet nga Kuvendi i Pegjithshëm
zgjedhor i anëtarëve të shoqatës, me mandat një-vjecar.
8.2 Detyrat dhe Përgjegjësitë e Bordit të Bësimit.
A-Detyrat financiare, kontrolluese, inventaret, etj.
Detyrat që kanë të bëjnë me shqyrtimin e ankesave të
natyrës financiare, të shtruara nga cilido anëtar. Pas shqyrtimit të këtyre
ankesave, ky bord urdhëron bordin e drejtorëve që të ekzekutojë vendimin e
Bordit të Besimit dhe, pas kësaj, i raporton Kuvendit të Përgjithshëm. Në
ankesat të natyrës financiare hyjnë:
1- shqyrtimin dhe mbikqyrjen e ndonjë fature, shpenzimi,
ndonjë transaksioni të dyshimtë, ndonjë hyrje apo dalje në librat e llogarisë.
2 – kontrollimin e llogarisë rrjedhëse, ose ndonjë trusti
që janë si objekt dyshimi.
3- të bëjë auditime të përgjithshme në të gjitha
aktivitetet financiare të shoqatës, nëse kërkohet nga ndonjë anëtarë.
4- nësë pas hetimit vërtetohen humbje apo keqpërdorim të
mjeteve, ta paralajmërojë kryesinë e Bordit Ekzekutiv që ta zgjidhë këtë
problem
5- nëse humbjet janë të mëdha, që rrezikojnë funksionimin
e shoqatës, atëherë Bordi i Besimit urdhëron kryesinë e Bordit Drejtues që të
thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Përgjithshëm me afat prej 3
javëve.
6- nëse kryesia e Bordit Drejtues nuk thërret mbledhjen e
jashtëzakonshme, sepse ndoshta vetë është e kyçur në këto keqpërdorime, atëherë
një gjë të tillë e bën Bordi i Besimit.
7- nëse mbledhja e jashtëzakonshme e kuvendit të
përgjithshëm të anëtarëve nuk thirret nga asnjë bord, atëherë mbledhjen mund ta
thërrasin 1/3 e anëtarëve të shoqatës.
8- në rast se keqpërdorimet vërtetohen dhe gjenden,
atëherë, sipas nenit 9, zbatohet shkarkimi i detyruar i autorëve të
parregullsive.
B- Detyrat këshilluese, disiplinuese dhe ndërmjetësuese
të Bordit të Besimit dedikuar palëve në kontestë.
1- Nëse ka ndonjë ankesë, që ka të bëjë me proçedurat e
pranimit apo përjashtimit të ndonjë anëtari të shoqatës nga Bordi Drejtues me
arsye ose pa arsye relevante, për shembull me rastin e fitimit ose humbjes së
anëtarësisë, atëherë Bordi i Besimit do të shqyrtojë këtë ankesë dhe do të
vendosë në bazë të rregullores së shoqatës. Vendimi do t’i obligohet Bordit të
Besimit, ose anëtarit, pavarësisht se cila palë është fituese e kontestisë.
2- Anëtarët problematikë, të dhunshëm ose
jo-bashkëpunues, me kërkesë të kryesisë së Bordit të Drejtorëve, do të dërgohen
për konsultime disiplinore tek Bordi i Besimit. Bordi i Besimit do të tentojë
t’i përmirësojë, edukojë dhe t’i detyrojë ata që ta respektojnë rregulloren dhe
rendin e shoqatës.
3- Nëse rezultatet mungojnë në disiplinimin e këtyre
anëtareve, atëherë Bordi i Besimit rekomandon Bordin Ekzekutiv që ta
perjashtojë anëtarin në fjalë nga shoqata.
4- Në rastin kur ndonjë prej anëtarëve tenton t’i zgjidhë
kontestet me dhunë, atëherë Bordi i Drejtorëve, me rekomandim të Bordit të
Besimit, do të bëj zbatimin e ligjeve shtetërore për mbajtjen e rendit,
qetësisë dhe sigurisë në shoqatë.
5- Bordi i Besimit dhe Bordi Drejtues janë të detyruar që
të bashkëpunojnë ngushtë për zgjidhjen e kontesteve, të së drejtës së anëtarëve
dhe organeve të shoqatës, disiplinimit dhe ndërmjetësimit të anëtarëve dhe
organeve të shoqatës dhe, po ashtu, Bordi i Besimit t’i raportojë Kuvendit të
Përgjithshëm për veprimtarinë e vet gjatë gjithë viteve.
9. Largimi i Anëtarëve të Bordit të Drejtorëve dhe Bordit
të Besimit.
9.1. Largimi nga Bordi Ekzekutiv.
9.1.1 Largimi (shkarkimi) individual i ndonjërit prej
anëtarëve të Bordit Ekzekutiv bëhet sipas nenit 6.5.4.
9.1.2. Largimi (shkarkimi) kolektiv i Bordit Drejtues
bëhet sipas nenit 7.5.5.
9.1.3. Largimi i rregullt i Bordit Drejtues bëhet në
përfundim të mandatitë një vjeçar, nëse ai bord i humb zgjedhjet në Kuvendin e
Përgjithshëm zgjedhor të shoqatës. Me Bord Drejtuesve kolektiv nënkuptojmë tërë
anëtarët e Bordit Drejtues të shoqatës.
9.2. Largimi i Bordit të Besimit.
9.2.1. Largimi individual nga bordi i besimit bëhet në
këto raste:
a- kur anëtari i bordit mungon për një kohë të gjatë prej
6 muajsh
b- kur anëtari i bordit nuk e kryen detyrën e tij me nder
c- kur anëtari i bordit ndërron jetë ose ndërron
vendbanim.
9.2.2. Largimi Kolektiv i Bordit të Besimit.
Largimin kolektiv të Bordit të Besimit e bën Kuvendi i
Përgjithshëm i shoqatës, i cili thirret dhe udhëhiqet nga kryetari i Bordit
Drejtues.
Largimi kolektiv i bordit të besimit bëhet në këto raste:
a- moskryerjen e detyrave në përputhje me statusin,
mospërgjigjes ndaj ankesave të anëtarëve të shoqatës.
b- moskryerjen e punës me nder
c- në përfundim të mandatit dhe kur nuk zgjidhen për një
mandat tjetër nga Kuvendi i Përgjithshëm zgjedhor.
9.2.3. Proçedura e Shkarkimit Kolektiv të Bordit të
Besimit.
1- Nëse ankesat e anëtarëve të shoqatës nuk shqyrtohen
nga Bordi i Besimit, atëherë anetarët ankues kanë të drejtë të kërkojnë prej
kryesisë së shoqatës që ajo të thërrasë mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit
të Përgjithshëm dhe të fillojë procedurën e shkarkimit të Bordit të Besimit.
2- Kryetari i Bordit Drejtues do të kërkojë të formohet
një komision hetimi prej 3 anëtarëve të shoqatës për të hetuar veprimtarinë
keqbërëse të Bordit të Besimit. Këto 3 anëtarë nuk duhet të jenë anëtarë të
asnjë bordi.
3-Pasi ky komision i hetimit vërteton me fakte se ka
gjetur shkelje të rënda në kryerjen e detyrave të bordit të besimit, atëherë
vendimi i këtij komisioni është i detyruar për Kuvendin e Përgjithshëm të
shoqatës. Pas kësaj, Kuvendi i Pergjithshëm, në bazë të shkeljeve të
konstatuara, do ta shkarkojë Bordin kolektiv të Besimit nëpërmjet proçesit të
marrjes së votëbesimit.
10. Fuqizimi, Shfuqizimi ose Ndryshimet e Pjessshme të
Statutit.
Fuqizimi, shfuqizimi apo ndryshimi i ndonjë neni mund të
bëhet vetëm në mbledhjen e rregullt të Kuvendit të Përgjithshëm të shoqatës, me
fitimin e 2/3 të votave të anetarëve të shoqatës.
11. Shpërndarja e Shoqatës. (likuidimi i aseteve)
Vendimin për shpërndarjen e shoqatës “ILIRIA” mund ta
marrë vetëm Kuvendi i Jashtëzakonshëm i anëtarëve të shoqatës. Në mënyre që
vendimi të jetë i plotfuqishëm, duhet të ketë kuorum prej 2/3 të anëtarëve të
rregullt të shoqatës në proçesin e votimit.
11.1 Likuidimi i Aseteve të Shoqatës.
1- shoqata duhet t’i paguaj të gjitha borgjet dhe
detyrimet ndaj partnerëve të saj
2- pjesa e mbetur e aseteve shndërrohet në mjete monetare
3- mjetet monetare të mbetura i dhurohen si donacion
ndonjë shoqate shqiptare humanitare e regjistruar në Ontario, ose, nëse nuk ka
shoqatë humanitare shqiptare në Ontario, atëherë këto mjete i dhurohen si
donacion ndonjë shoqate humanitare kanadeze në Ontario.
12. Interpretimi i Shprehjeve. (shpjegimi)
Fjalët në njëjës dhe ato të gjinisë mashkullore
njëkohësisht shprehin kuptim edhe për numrin shumës dhe të gjinisë femërore të
emrave ose anasjelltas. Për shembull kryetari /kryetarja, nënkryetari
/nënkryetarja, etj.
13. Rregullat e Reja.
Bordi Drejtues ka të drejtë të propozojë rregulla të reja
tek Kuvendi i Përgjithshëm i shoqatës, të cilat janë në përputhje me statusin e
shoqatës. Këto rregulla bëhen të plotëfuqishme vetëm nëse Kuvendi i
Përgjithshëm i voton me kuorum të anëtarëve me 2/3.
14. Nenet e Përkohëshme.
Neni 1. Para dhe gjatë fazës së regjistrimit të shoqatës,
themeluesit (Bordi Ekzekutiv) i përkohshëm, kanë të drejtë të bëjnë ndryshime,
përmirësime teknike, të shkruajnë në nenin 1 të shoqatës. Për shembull; adresa,
ndonjë numër telefoni gabim, ose ndonjë detyrim që del nga autoritetet.
Neni 2. Përmirësim në nenin 2 të shoqatës që është roli,
qëllimi, dhe veprimtaria e shoqatës.
Neni 3. Në momentin e pranimit të këtij statusi, anëtarët
që janë jashtë vendndodhjes së shoqatës do të bëhen automatikisht anëtarë jo të
rregullt (nderi).
Neni 4. Në momentin kur shoqata funksionalizohet dhe
regjistrohet tek organi kompetent shtetëror, periudha kalimtare përfundon dhe
shoqata fillon funksionin e saj të rregullt si koorporatë jopërfituese,
joqeveritare, ndërmarrëse dhe si pronë e komunitetit shqiptaro-kanadeze.
Neni 5. Pasi shoqata të funksionalizohet, ka për detyrë
që të adaptojë, të respektojë të gjitha ligjet që aplikohen në Ontario, Kanada,
dhe ligjet ndërkombëtare
15. Mesazhi i Statusit /Rregullores.
Duke pasur parasysh plan-programin kombëtaro-humanitar që
kjo rregullore (status) e shoqatës përmban në vetvete, respektimi dhe zhvillimi
i saj është detyrim kombëtar dhe humanitar i secilit që e identifikon vetveten
shqiptar.
Kjo rregullore, rëndësi të veçantë i kushton rrugës së
organizimit, unifikimit dhe bashkëpunimit ndërshqiptar në të gjitha sferat e
shoqërisë shqiptare dhe jashtë saj. Tek e fundit, kjo rregullore përkujton
porosinë e të parëve tanë se vlerat kombëtare duhet të ruhen, të zhvillohen, të
promovohen dhe të barten tek fëmijet tanë. Me durim, mençuri, urtësi, respekt
të ndërsjelltë dhe financim të shëndoshtë të projekteve të shoqatës, suksesi
është real dhe i arritshëm.
Vendosja e interesave kombëtare para atyre individuale
dhe private forcon komunitetin shqiptar në Kanada, ruan fëmijët tonë nga
asimilimi potencial dhe, në përgjithësi, i jep një pozitë shumë të avancuar dhe
të merituar komunitetit shqiptar në mesin e komuniteteve të tjera.
16. Neni i Identitetit dhe Respektit.
Në zyrat e shoqatës do të mbahen: flamuri i Kanadasë,
flamuri kombëtar, flamuri shtetërore i Republikës së Kosovës dhe flamuri
amerikan. Nga pikturat do të mbahen: piktura e Skendërbeut, Nënë Terezës,
Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Adem Jasharit dhe Ibrahim Rugovës.
05 Shkurt 2019 London, Ontario KANADA